Tmerri nga 2 eurot false, klienti i TEB-it deponon rreth 12 mijë euro të falsifikuara

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në qarkullim në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedha që po ‘tmerron’ të gjithë është ajo 2 euroshe.

Një rast i tillë është raportuar gjatë ditës së djeshme nga një zyrtar i bankës ‘TEB’ në Prishtinë, i cili ka njoftuar se janë detektuar disa mijëra euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për një shumë rreth 12 mijë euro, ku shumica prej tyre janë në monedhën metalike 2 euroshe.

Paratë që dyshohet se janë të falsifikuara janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale dhe me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.

Kujtojmë se të mërkurën janë arrestuar gjashtë persona, tre kosovarë dhe tre shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët dyshohet se merreshin me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit.

Gjatë arrestimit në veturën e tyre janë gjetur dhe sekuestruar para me thasë, ku pas verifikimit ka rezultuar se shuma e tyre është mbi 85 mijë euro – të gjitha në monedhën 2 euro.

Ndaj të dyshuarve, Gjykata Themelore ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Si masa preventive për ‘shpëtimin’ nga 2 eurot false, shumë biznese në Kosovë kanë filluar të mos pranojnë pagesa me këto monedha.

Ndryshe, se falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.