Thaçi, Mustafa e Haradinaj nuk do të dëshmojnë për rastin e ‘Veteranëve’

 

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i LDK’së, Isa Mustafa nuk do të dëshmojnë për rastin e njohur si ‘Veteranët’, shkruan Gazeta Metro.

Ndonëse fillimisht ishte propozuar që Thaçi, Mustafa e  Haradinaj të dëshmojnë për rastin e ‘Veteranëve’, kjo s’do të ndodhë pasi Gjykata Themelore ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarit Fadil Shurdhaj që si dëshmitar në këtë rast të ftohen edhe ata.

Këtë e ka vendosur kryetari i trupit gjykues, Nushe Mekaj, e cila nuk ka dhënë arsyet e këtij refuzimi derisa ka kërkuar nga të akuzuarit e tjerë qe të ofrojnë adresat e dëshmitarëve te propozuar nga ana e tyre.

Propozimin që Thaçi, Haradinaj e Mustafa, të dëgjohen në këtë proces gjyqësor e kishte dhënë mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Shurdhaj, avokati Skënder Musa, në seancën e mbajtur më 17 janar të vitit 2020.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.///

SHARE