Telekomi kërkon hetim për dyshimet për keqpërdorim të mbi 100 milionë eurove

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë për fillim të hetimeve për dyshim të kryerjes së veprave të rënda penale në rastin me Z-mobile për dyshimet e keqpërdorimit të mbi 100 milionë eurove.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Telekomi, thuhet se kjo kërkesë është iniciuar ndaj personave, zyrtarë të lartë të kompanisë dhe personave privat, të cilët duke lidhur kontratë të dëmshme, fshehur dhe manipuluar të dhëna dhe prova, paraqitur deklarata të rrejshme, me veprimet dhe mosveprimet e tyre e kanë dëmtuar Telekomin e Kosovës në periudha të ndryshme kohore.

Sipas Telekomit, kësisoj kanë kryer vepra penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Të njëjtit kanë iniciuar, hartuar, nënshkruar dhe gjatë kohës së zbatimit të kontratës nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar ose edhe e kanë fshehur dëmin që ishte duke shkaktuar kontrata, duke mundësuar kështu dëme të pariparueshme qindra milionëshe ndaj Telekomit si dhe dëmtim të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Fadil Lepaja, UD Drejtor për Relacione me Publikun.

Sipas kësaj komunikate, nuk përjashtohet mundësia që zyrtarët e Telekomit të Kosovës, në forma të ndryshme mund të kenë përfituar në mënyrë të paligjshme nga kontrata e dëmshme për Telekomin e Kosovës, nga e cila u shkaktua dëmi në total prej mbi 100 milionë euro.

Në njoftim thuhet se kërkesa për fillim të hetimeve ndaj tyre është paraqitur sepse kishte dyshime të kryerjes së veprave penale, të cilat sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës ndiqen sipas detyrës zyrtare.

Ndërkaq, thuhet se humbjet e shkaktuara ndaj Telekomit të Kosovës dhe buxhetit të Republikës së Kosovës janë humbjet komerciale nga zbatimi i kontratës, që llogariten në vlerë rreth 102 milionë euro, humbjet direkte si pasojë e pamundësisë së zbatimit të kontratës në vlerë rreth 51.4 milionë euro (Vendimet e arbitrazheve), humbjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së vitit 2017 dhe humbjet e buxhetit të shtetit të Republikës së Kosovës, në vlerë rreth 16.2 milionë euro, si pasojë e shmangies së tatimit nga Dardafon.net LLC.

Në njoftim thuhet se Telekomi i Kosovës është i vendosur të denoncojë krimin, të reformojë kompaninë dhe ta rikthejë atë në vendin që e kishte diku.

Para pak ditësh, Telekomi i Kosovës kishte njoftuar se Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin mes “Telekomi i Kosovës” dhe kompanisë Dardafon (Z-Mobile).

SHARE