Tahiri: Kriza ndalet vetëm me shkarkimin e qeverisë, nuk kanë synim t’i ndihmojnë njerëzit

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar që të shkarkohet Qeveria e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai, në një konferencë për media, ka deklaruar se kjo duhet të ndodhë për shkak se Qeveria Kurti me politikat e saj po e dëmton vendin.

“Jemi në një situatë jashtëzakonisht problematike, një situatë shumë serioze e cila përshkruhet me dobësim të Kosovës në të gjitha rrafshet, si në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm. Një situatë e cila karakterizohet me krizë pas krize e skandal pas skandali, e cila po reflekton në varfërim të skajshëm të shumë familjeve”, është shprehur Tahiri.

Duke folur për çështjen e skandalit me rezervat shtetërore, Tahiri tha se shkarkimi i ministres Hajdari është i domosdoshëm që të zhvillohet një hetim i pavarur.

“Shqetësuese është sulmi që i bëhet gjyqësorit dhe prokurorisë nga ana e qeverisë, në tentim për të mbuluar skandalin me vjedhjen e rezervave shtetërore. Tani më është fakt që 52.5 tonë miell nuk kanë ardhur në Kosovë, e shumë sasi vaji mungon, ndërkaq dëmi i pretenduar është mbi 600 mijë euro. Për këtë skandal, për këtë vjedhje Qeveria e Kosovës hesht, ndërkaq e akuzon gjyqësorin e prokurorinë. Ky pushtet nuk i beson shtetit të vet. Këta njerëz synojnë të krijojnë sistem të vetin, një sistem paralel. Për me ndodh një hetim i pavarur, është e domosdoshme të shkarkohet ministrja Hajdari”, ka thënë ai.

“Është tejet e habitshme se si sillet Qeveria edhe me çështje tjera. Është kah kontestohet pavarësia e Kosovës nga një shtet armiqësor, e nuk ka asnjë reagim nga institucionet”.

“Kjo qeveri ka humbur rrugën. Këta njerëz duhet të ikin sa me shpejt. Ne presim që me nisjen e sesionit vjeshtor, që në ditën e parë të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme për shkarkimin e kësaj qeverie”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, Ministria e Arsimit, me vendimin për mos sigurimin e librave shkollorë për nxënësit ka dëmtuar nxënësit dhe ka rënduar gjendjen financiare të shumë familjeve. Ai është shprehur që kjo krizë ndalet vetëm me shkarkimin e kësaj qeverie.

“Vendimi i MAShT për refuzimin për t’i siguruar librat për nxënësit, është edhe një fakt që kjo qeveri nuk ka synim t’i ndihmojë njerëzit. Ky vendim ka qëllim krijimin edhe të një krize të re, me e dëmtu buxhetin e shumë familjeve. Kjo krizë ndalet vetëm me shkarkimin e kësaj qeverie”, është shprehur Tahiri.