Kandidati për kryetar të Klinës dhe kryetari i degës së PDK-së në këtë komunë, Sokol Bashota, ka pranuar sot një flamur amerikan, dhuratë nga Shoqata “Miqtë e Amerikës” dhe presidenti i saj, Agim Rexhepi.
Ky gjest u bë në shenjë nderimi për ditëlindjen e 79-të të ish-presidentit amerikan Bill Clinton. Në fjalën e tij, Bashota shprehu mirënjohje për mbështetjen amerikane ndaj Kosovës, duke kujtuar bashkëpunimin me figura të njohura si William Walker, Kristofer Hill, Shon Berns dhe të ndjerën Madeleine Albright.
Statusi i tij i plotë:
Sot pata nderin të pranoj flamurin amerikan, dhuratë kjo për nder të ditëlindjes së 79-të të Presidentit Bill Clinton, nga Shoqata “Miqtë e Amerikës” dhe presidenti i saj, z. Agim Rexhepi.
Ndjej respekt të madh e vëllazëror për popullin amerikan dhe për politikëbërësit e këtij shteti mik, mik në kohë lufte e mik në kohë paqeje.
Me mirënjohje të veçantë kujtoj bashkëpunimin e ngushtë me personalitete të shquara amerikane si Kristofer Hill, Shon Berns, ambasadorin William Walker, si dhe të ndjerën Madeleine Albright, e cila duke më telefonuar në ditët më të vështira të luftës më dha kurajë e besim se liria e Kosovës nuk ishte larg.
Gëzuar ditëlindjen President Clinton!
Faleminderit “Miqtë e Amerikës” dhe Agim Rexhepi!