S’ka tërheqje nga “Open Balkan”, Rama nesër në Beograd

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, do të jetë nesër i pranishëm në Beograd për takimet e radhës për “Open Balkan” që pritet të zhvillohen në datat 3 dhe 4 nëntor.

Zyra e kryeministrit ka konfirmuar për Euronews Albania se nuk ka asnjë ndryshim plani për takimin e nesërm, pas dorëheqjes së Zoran Zaev nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Pritet që në takimin e nesërm të jetë i pranishëm në Beograd një përfaqësues i qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Një ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq vuri në dyshim zhvillimin e takimeve në Beograd, pasi në një postim në Facebook u shpreh: Mbështetje e fortë “Open Balkan”. A duhet të mbajmë apo shtyjmë një takim në Beograd, duke marrë parasysh ngjarjet në Shkup?”.

‘Open Balkan’ është një nismë mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. E njohur më herët si Mini-Shengeni Ballkanik, nisma ka nxitur debat mes vendeve të Ballkanit, ku Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina nuk kanë pranuar të angazhohen.