Situata në veri/ Krejt çfarë ka ndodhur që nga mbrëmë

Që nga mbrëmë në pjesën veriore të Kosovës vërehet shtim i forcave të rendit.

Pak para mesnatës, në fshatin Serbovc të Zveçanit, njësitet policore derisa kanë qenë duke patrulluar, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM.

Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë.

Ekipi i IndeksOnline ndodhet që nga mbrëmë në pjesën veriore të vendit dhe po përcjell nga afër zhvillimet aty.

Banorët në lagjen e boshnjakëve janë të frikësuar pasi që jo larg tyre kohë pa kohe shfaqen grupet e personave të maskuar. Madje sot një veturë e gazetarëve është sulmuar nga persona të maskuar afër shkollës teknike.

Policia e Kosovës po patrullon në vazhdimësi së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in të cilët po vëzhgojnë situatën nga afër.

Për të garantuar siguri për banorët e asaj zone, dje është mobilizuar policia dhe ka dërguar pjesëtarë nga shumë stacione policore në nivel vendi.

“Prioritet i Policisë së Kosovës është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, policia ditëve në vijim do të rris prezencën policore në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë”, është thënë në njoftimin e mbrëmshëm të policisë./