Shqipe Pantina: Mungesa e babait ndihet thellë në vendlindjen time Gllarevën, por mbështetja më jep forcë

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shqipe Pantina, me numër 45 në listën zgjedhore, ka ndarë një mesazh emocional përmes një postimi, ku ka folur për vendlindjen e saj, Gllarevën, shkollën ku është arsimuar dhe ka punuar si mësimdhënëse, si dhe për figurën e babait të saj.

Pantina thekson se mungesa e babait të saj ndihet fuqishëm në mesin e bashkëvendësve, veçanërisht në shkollën “Dëshmorët e Qëndresës”, institucion që ka një domethënie të veçantë për familjen e saj, pasi aty ajo ka përfunduar shkollimin dhe ka marrë për herë të parë ditarin si mësimdhënëse, ndërsa babai i saj ka punuar për rreth katër dekada.

“Në vendlindjen time, në Gllarevë, në mesin e bashkëvendësve të mi, në shkollën që mban emrin ‘Dëshmorët e Qëndresës’ – aty ku kam kryer shkollimin dhe ku për herë të parë kam marrë ditarin si mësimdhënëse, e ku babai im ka punuar për rreth 40 vite – mungesa e tij është e madhe.
Emocionet nuk më lanë të flas, por mbështetja që më kanë dhënë gjithmonë familja dhe bashkëvendësit e mi më jep forcë dhe energji.
Ju jam përherë mirënjohëse.”shkruan Pantina në FB.