Shqipe Pantina i reagon Vjosa Osmanit: Secili deputet njoftohet çdo muaj për kompensimet dhe për çfarë i merr ato

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Pantina, i ka reaguar Presidentes Vjosa Osmani, e cila tha se nuk i ka vërejtur paratë që i kanë kaluar në xhirollogari për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit.

Sipas Pantinës, secili deputet pranon çdo muaj në kutinë postare dokumentin nga sekretariati i Kuvendit të Kosovës, ku tregohet për pagesat që i janë bërë për muajin paraprak e që është i ndarë në: pagë bazë, mëditjet nga pjesëmarrja në seanca, mëditjet nga pjesëmarrja në komisione, pagesa për shujtat ditore dhe shpenzimet e udhëtimit.

“Secili deputet per cdo muaj pranon ne kutine e tij/saj postare nje dokument prej sekretariatit ( departamenti i financave) ku i tregohet per pagesat qe i jane bere per muajin paraprak e qe eshte i ndare ne: pags baze, meditjet nga pjesemarrja ne seanca, meditjet nga pjesemarrja ne komisione, pagesa per shujtat ditore dhe shpenzimet e udhetimit. Meditjet dhe kompenzimet per udhetime jasht vendit paguhen ndaras. Prandaj te thuash se nuk e ke dite sa pare ke marr dhe per ç’fare arsye dmth ose je injorant ose genjeshtar e ndoshta edhe te dyja bashk!”, ka shkruar Pantina.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani që në pesë mandate ishte deputete e Kuvendit ka folur për shpenzimet e udhëtimit në kohën kur ishte një nga 120 ligjvënësit.

Tha se kur ishte regjistruar atë kohë nuk e ka ditur se do të kompensohej për udhëtim.

“Unë për herë të parë kam dëgjuar që ka kompensim për udhëtim tash kur ka dal kjo punë më media, shumë para se të flitej për emrin tim kur doli për deputetët që këtë vit kanë marrë kompensim. Atëherë kam dëgjuar për herë të parë për këtë kompensim”, tha Osmani për RTK’në.

“Në mandatin e parë natyrisht unë jam zgjedhur nga Mitrovica, diku 90 për qind e votave të mija kanë qenë nga atje. Jam regjistruar ashtu, mirëpo asnjëherë, askush, aty në Kuvend nuk thotë që regjistrimi për ëebfaqe ka të bëjë me ndonjë kompensim, kurrën e kurrës”, tha Osmani.

“Në momentin e regjistrimit tim, nuk ka ekzistuar e drejta e kompensimit”, shpjegoi ajo.

“Në rastin tim, nëse e kalkulojmë në katër vite i bie 80 euro në muaj që mi paskan vendosur në llogari bashkë me këtë pagesë të 6-7 shtesave tjera. Natyrisht që mua më vjen keq që nuk i kam vërejtur 80 euro që për katër vjet po i bie 2.5 euro në ditë kompensim për udhëtim që i bie sa një taksi brenda Prishtinës”, tha Osmani.

Osmani përgjatë kohës sa ishte deputete e Parlamentit, përgjatë viteve 2011-2014 ishte kompensuar me rreth 4 mijë euro nga shteti për rrugëtimin e saj nga Mitrovica, derisa ajo banonte në kryeqytet.