Shkolla “Fehmi Agani” Në Turjakë te Malishevës nderon veteranët e UÇK-së në Ditën e Çlirimit të Kosovës

Me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, shkolla fillore “Fehmi Agani” në Turjakë te Malishevës organizoi një program të pasur kulturor-artistik, ku mysafirë nderi ishin veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga fshati Turjakë.

Ceremonia u zhvillua para nxënësve, prindërve, mësimdhënësve dhe qytetarëve të shumtë turjakas, duke u shndërruar në një ngjarje të veçantë për të nderuar luftëtarët e lirisë. Programi i përgatitur nga mësimdhënësit Rrezarta Zogaj dhe Liridon Morina u realizua me përkushtim dhe emocion, ndërsa theksi u vu tek rëndësia e edukimit patriotik dhe ruajtjes së kujtesës historike.

Në emër të shkollës, drejtori Agron Zogaj ndau mirënjohje për të gjithë veteranët e UÇK-së të Turjakës, me motivacionin:

“Për kontribut të çmuar në luftën për liri dhe dinjitet kombëtar. Nëpërmjet guximit, përkushtimit dhe dashurisë për atdhe, ju u bëtë pjesë e historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bartës i vlerave që frymëzojnë brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Ju na mundësuat që nxënësit tanë të arsimohen dhe edukohen në paqe.”

Fjalime përshëndetëse mbajtën gjithashtu:
• Sabit Berisha, drejtor i DKAE-së në Malishevë
• Habib Zogaj, përfaqësues i veteranëve të UÇK-së – nëndega Turjakë

Pas përfundimit të programit, për të pranishmit u shtrua një koktej rasti.

Ky aktivitet i shkollës “Fehmi Agani” përçon një mesazh të fuqishëm falënderimi dhe nderimi për ata që dhanë gjithçka për lirinë që gëzojmë sot.