Shkarkimi i drejtorëve të burgjeve në Prizren dhe Pejë lidhet me ngacmimin seksual të një të miture në Lipjan (DOKUMENT)

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Heset Lokun dhe drejtorin e Qendrës së Paraburgimit në Pejë, Arif Beqën.

Në arsyetimin e vendimit të marrë sot nga ministrja Haxhiu, thuhet se Loku dhe Beqa u shkarkuan nga detyra e drejtorëve, për një rast të ngacmimit seksual që kishte ndodhur në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan.

Sipas raportit të komisionit hetimor, një mësimdhënës i Informatikës me inicialet I.B., e kishte ngacmuar seksualisht një të mitur gjatë procesit të mësimit në këtë qendër.

Mirëpo, Beqa, i cili ishte në cilësinë e drejtorit të kësaj qendre, ndonëse ishte informuar me rastin, në raportin e hetimit thuhet se nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim, respektivisht nuk kishte themeluar komision hetimor për hetimin e këtij rasti.

Në këtë raport, konstatohet se Beqa nuk e kishte parë të arsyeshëm themelimin e një komisioni hetimor, me arsyetimin se pas ngjarjes së ngacmimit, kishte komunikuar përmes telefonit me drejtorin e QKF-së, Heset Lokun, i cili i kishte thënë se është marrë vesh me nënën e të miturës që të tërhiqen nga rasti dhe të mos vazhdojë hetimi për këtë rast.

Në këtë dokument, thuhet se Beqa nuk kishte mbajtur asnjë shënim zyrtar lidhur me rastin.

Sipas raportit të hetimit, e mitura ka deklaruar se mësimdhënësi i Informatikës në Qendrën Korrektuese në Lipjan, I.B., e kishte ngacmuar seksualisht gjatë orës së mësimit, duke i thënë “Meqë po lirohesh këto ditë, a ka mundësi të pimë kafe së bashku në Prizren” dhe pastaj e ka pyetur “A po bëhesh nusja ime”.

Lidhur me këtë rast kanë qenë të informuar drejtori i QKF-së, Heset Loku dhe drejtori i QKM-së në Lipjan, Arif Beqa, por të njëjtit nuk e kishin njoftuar Drejtorinë e Arsimit në Lipjan, pasi që personi i dyshuar për ngacmim seksual ka qenë punëtor i arsimit të kësaj drejtorie.

Me rastin nuk ishte njoftuar as Drejtoria për Trajtimin e të Miturve, në kuadër të Drejtorisë Qendrore të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

I gjithë komunikimi ishte zhvilluar pa protokoll dhe përmes formës jozyrtare. Kësisoj, në arsyetimin e vendimit për shkarkimin e tyre, thuhet se rasti ishte mbyllur pa pasur fare hetim.

Në të gjeturat e raportit të hetimit konstatohet se Beqa dhe Loku kanë kryer shkelje të rëndë të detyrave dhe përgjegjësive të punës, përkatësisht dispozitave të Ligjit për Zyrtarë Publik./