SHFMU “Azem Bejta” në Grabanicë bëhet me kabinet të ri shkencor

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Azem Bejta” në Grabanicë është pajisur me një kabinet të ri shkencor, një investim i rëndësishëm që do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe në zhvillimin e mësimit praktik për nxënësit.

Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të pajisjeve morën pjesë drejtori i Arsimit në Komunën e Klinës, Qemajl Sejdija, përfaqësuesja e IOM-it, Albiana Çavolli, si dhe drejtori, mësimdhënësit dhe stafi i shkollës.

Kabineti është i pajisur me mjete dhe materiale bashkëkohore laboratorike që përmbushin standardet për zhvillimin e lëndëve shkencore si biologjia, kimia, fizika, matematika dhe gjeografia, duke krijuar kushte më të avancuara për mësim praktik dhe eksperimentues.

Ky projekt është realizuar përmes bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit të Komunës së Klinës, Bashkimit Evropian në partneritet me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, dhe është implementuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim – IOM në kuadër të programit EU-CSP.

Kjo është vetëm një nga shumë iniciativat që dëshmojnë përkushtimin institucional për fuqizimin e infrastrukturës arsimore dhe përkrahjen e edukimit cilësor në komunën tonë. Investimet në arsim do të vazhdojnë, me synimin që çdo nxënës të ketë mundësi të mësojë në kushte moderne dhe të përgatitet për të ardhmen me njohuri të qëndrueshme dhe praktike.