Sërish jehon “Jehona e Dukagjinit”

Riaktivizimi, përkatësish themelimi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Jehona e Dukagjinit në Klinë, vitin e kaluar e ka gjallëruar jetën kulturore në Klinë. Ky ansambël brenda një kohe të shkurtër ka arritur rezultate të mira në prezantimin e këngëve dhe të valleve burimore kombëtare. Drejtori i këtij ansambli, rapsodi i mirënjohur klinas, Daut Gashi, thotë se për një periudhë të shkurtër, që nga themeli i këtij ansambli, që akoma nuk është bërë një vit, kanë marrë pjesë në shumë festivale kombëtare e mbarëkombëtare që mbahen në Kosovë, ku edhe rezultatet nuk kanë munguar, duke marrë çmime e mirënjohje. ”Kështu, në festivalin e Gjakovës juria profesionale na ka shpërblyer me çmimin e publikut, kurse jemi pritur mjaft mirë nga publiku edhe në Komaran në festivalin kushtuar Xheladin Gashit- Komandant Plakut, pastaj në Festivalin e Ana Drinisë në Denjë të Rahovecit e në Festivalin “Rapsodia shqiptare” në Skënderaj”, thotë Gashi, duke përmendur arritjet fillestare të këtij ansambli. Ndërkaq, AKV “Jehona e Dukagjinit”, vitin që shkoi para publikut klinas është paraqitur disa herë, duke lënë mbresa tek spektatori artdashës.

Kështu ky ansambël ka bërë hapjen solemne të Festivalit mbarëkombëtar “I Këndojmë Lirisë”, Ditën e Çlirimit të Klinës, pastaj koncerte për mërgimtarët e komunës së Klinës, si dhe për festat e fundvitit. Ndonëse i themeluar në prillin e vitit të kaluar, ky ansambël tashmë ka 30 anëtarë, ndërsa në kuadër të tij funksionojnë grupi i solistëve, instrumentistëve e valltarëve. Grupin e këngëtarëve e të instrumentistëve e udhëheq Daut Gashi, ndërsa atë të valltarëve, e udhëheq Vlora Zhutaj, e cila ushtron edhe grupin e baletit të fëmijëve, që vepron në kuadër të ansamblit.

Sipas Gashit, për sivjet planet janë mjaft ambicioze. Synojnë pjesëmarrjen në shumë festivale që mbahen në Kosovë, Shqipëeri e trojet tjera shqiptare. Tashmë ushtrimet për sezonin e sivjetmë kanë filluar dhe interesimi i të rinjve është mjaft i madh për tu anëtarësuar në grupe të ndryshme të ansamblit. Duhet theksuar se edhe përkrahja nuk ka munguar nga Drejtoria komunale e Kulturës, si dhe nga Kryetari i Komunës, Prof.Dr. Zenun Elezaj./Klinainfo/