Pastrohet Liqeni i Badovcit

Një numër qytetarësh iu bashkuan grupit për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, ku në mënyrë vullnetare zhvilluan aksionin për pastrimin e liqenit.

Përveç pastrimit, qëllim i këtij aksioni ishte edhe ngritja e vetëdijes së qytetarëve për ruajtjen e ambientit dhe mos hedhjen e mbeturinave rreth liqenit të Badovcit, liqen ky i cili furnizon banorët e Prishtinës me ujë të pijshëm.

Nga grupi i vullnetareve, Milot Kurshumlia tha se aksioni për pastrimin e liqenit të Badovcit është organizuar nga vullnetarë, të cilët po shfrytëzojnë rënjen e nivelit të uji në mënyrë që ta pastrojnë në thellësi liqenin.

Kurshumlia tha se pastrimi i liqenit nuk është organizuar si shenjë pakënaqësie rreth ndërtimeve  që priten të fillojnë afër Liqenit të Badovcit, por për një ambient të pastër.

Ai  u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë  këtë liqen.

Kryeshefi ekzekutiv i K.R.U Prishtina, Ilir Avdullahu, tha se kompania e Ujësjellësit ka përkrahur këtë iniciativë të qytetarëve dhe iu është bashkangjitur. Sipas tij, në të ardhmen disa segmente të Badovcit duhet të rrethohen në mënyrë që liqeni të mos ketë telashe çdo vit me mbeturinat.

Nga grupi “mbrojtja e liqenit të Badovcit”, Baton Begolli, tha se ky aksion ka qenë i qytetarëve e pastaj iu është bashkangjitur edhe grupi për mbrojtjen e Badovcit. Ai tha se këto aksione organizohen me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për ruajtjen e liqenit.

Sipas Begollit, liqeni i Badovcit nga i cili furnizohen një pjesë e banorëve me ujë të pijshëm, nuk duhet të ketë ndërtime afër.

Aksionit për pastrimin e liqenit të Badovcit iu bashkëngjit edhe qytetari, Miftar jashari, sipas të cilit liqeni i Badovcit duhet të ruhet dhe të pastrohet çdoherë.

Ndryshe, reshjet e pakta të shiut dhe temperaturat e larta, kanë bërë që niveli i ujit në liqenin e Badovcit të bjerë nën nivelin mesatar.