Selimi me akuza për Hotin: Zhbëri kufijtë shtetëror në mes Kosovës dhe Serbisë

Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar me akuzat ndaj Qeverisë Hoti, për të cilën tha se ka nënshkruar marrëveshje, që sipas tyre nuk u janë referuar kufijve shtetërore të Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një konferencë për media, ka thënë se në këtë marrëveshje, kryeministri Hoti vuri nënshkrimin në mosnjohjen e kufirit që ndan Kosovën dhe Serbinë.

“Në zotimet e Hotit, të nënshkruara me datën 14 shtator të këtij viti ku janë trajtuar edhe temat që kanë të bëjnë me ndarjen e Ujmanit, me mini-shengenin, me lojën me diploma dhe certifikata, me daljen në Adriatik, të Serbisë përmes autostradës dhe hekurudhës nëpër Kosovë, me moratoriumin e aplikimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe çështjet tjera, është përfshirë edhe çështja e kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë që në këtë marrëveshje nuk i referohen, as nuk i trajtojnë si kufij shtetërore. Në zotimet e tij, Hoti vuri nënshkrimin në mosnjohjen e kufirit që ndanë Kosovën dhe Serbinë”, ka thënë Selimi.

Më tej, ai ka shtuar se me këtë marrëveshje, Hoti ka zhbërë kufijtë shtetëror në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Duke pranuar dhe nënshkruar këtë dokument ndër dëmet tjera që i ka sjellur vendit, Hoti ka zhbërë kufijtë shtetëror në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka përfunduar Selimi. 

SHARE