Scholzi do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën

Para mbledhjes së Këshillit Evropian në qershor për përcjelljen e mesazhit për integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, kancelari gjerman Olaf Scholz do të zhvillojë një tur vizitash në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Nuk dihen ende datat e vizitës së tij.

Kancelari Scholz do të përcjellë mesazhin se rajoni i përket Bashkimit Evropian dhe se negociata duhet të hapen për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Nderimi i angazhimeve tona ndaj tyre nuk është vetëm një çështje e besueshmërisë sonë. Sot më shumë se kurrë integrimi i tyre është gjithashtu në interesat tona strategjike”, tha Scholzi.

Hapja e negociatave për Shqipërinë ka mbetur peng i vetos të Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Nëse këtë qershor nuk jepet drita jeshile për Shqipërinë, atëherë kryeministri Rama ka deklaruar se do të kërkojnë ndarjen nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit të vendit në BE.