Salih Mustafa paraqitet sot para Gjykatës Speciale

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa do të dalë sot para Gjykatës Speciale, në seancën e radhës në kuadër të procesit gjyqësor në drejtim të tij.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga Dhomat e Specializuara ku u theksua se konferenca për ecurinë e çështjes do të mbahet me 1 shkurt duke filluar nga ora 11:00.“Siç është njoftuar në Kalendarin tonë të Gjykatës, Konferenca e radhës për ecurinë e çështjes në çështjen kundër Salih Mustafës do të mbahet më 1 shkurt në orën 11:00”, thuhet në njoftim.

Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.

Mustafa u paraqit për herë të parë para gjykatës saktësisht më 28 shtator të vitit 2020, ku edhe pati theksuar se nuk dëshiron të deklarohet lidhur me akuzat të cilat po i bëhen.

Aktakuza e konfirmuar e ngarkon Mustafën për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës.
Gjatë seancës publike është thënë se “ekziston dyshimi i bazuar mirë se zoti Mustafa është përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve”.

Gjatë javës së kaluar, gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou vendosi që t’ia vazhdojë paraburgimin ish-eprorit të UÇK-së, Salih mustafa, duke konsideruar se i njëjti nëse lirohet ka rrezik të arratiset.