I burgosuri në Pejë është infektuar me koronavirus nga gardiani i burgut

Një i burgosur në Burgun e Pejës ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus, shkruan Gazeta Sinjali.

Këtë për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Florent Gashi.

Gashi tha se i burgosuri po dyshohet se është infektuar me koronavirus nga një gardian i burgut.

Po ashtu, Gashi bëri të ditur se janë testuar për COVID-19 edhe tre të burgosur të tjerë të cilët kanë qenë në një dhomë me të infektuarin, por që të tre kanë rezultuar negativ.

“Me 24.6.2020, QP Pejë, pas marrjes së rezultateve të testimit për Covid-19, nje i burgosuri ka rezultuar pozitiv. I burgosuri ka qenë i vendosur në dhomë edhe me tre (3)të burgosur tjerë, mirëpo pas marrjës se rezultateve, të tjerët kanë rezultuar negativ. I burgosuri i konfirmuar pozitiv është izoluar në një dhomë të vetme dhe është në mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore”, tha ai.