Rritja e pagave të punëtorëve të KEDS-it, me ndikim në fatura

Propozimi i KEDS-it dhe KESCO-s që të lejohet rritja e pagave për punëtorët në lartësi prej 15 për qind, nuk është pranuar nga ZRRE-ja. Ky institucion ka propozuar që rritja të jetë në nivel të inflacionit – 5.4 për qind. Kjo do të rrisë koston operative për 1.14 milionë euro, e cila do të mbulohet me tarifat e energjisë për vitin 2024, që pritet të hyjnë në fuqi nga 1 prilli
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar që pagat e punëtorëve të KESCO-s dhe KEDS-it të rriten për 5.4 për qind, e jo 15 për qind siç kanë kërkuar këto kompani. Kjo do të ketë efekt në fatura, meqë do të rrisë koston operative për 1.14 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar, e që do të përfshihet në tarifat e energjisë, të cilat qytetarët do t’i paguajnë duke nisur nga 1 prilli.

Në një përgjigje për KOHËN, në ZRRE kanë thënë se propozimi është bërë në nivel me rritjen e normës së inflacionit.

“Sipas rregullës për të hyrat e lejuara maksimale, ZRRE-ja ka rishikuar kostot e OPEX (ku përfshihen edhe kostot e personelit), duke reflektuar normën vjetore të inflacionit. Norma e inflacionit merr parasysh Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit të publikuar nga Eurostat”, thuhet në raportin e ZRRE-së.

Sipas tij, vlera e HICP-së e aplikuar për vitin 2022 e aplikuar në përshtatjet e OPEX-it për vitin 2023, bazuar në të dhënat e “Eurostat” ishte 8.4 për qind, ndërsa për vitin 2023 e aplikuar për vitin 2024 është 5.41 për qind.

Lidhur me këtë propozim, por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me tarifat e energjisë, qytetarët dhe palët e tjera mund të dorëzojnë komentet e tyre në ZRRE deri më 21 shkurt.

Ky institucion, mes tjerash, ka propozuar që të hyrat maksimale të KESCO-s për 2024 të jenë 401.51 milionë euro apo 3.07 milionë më shumë sesa në vitin paraprak. Kërkesë e KESCO-s ishte që të hyrat të kufizohen në 410 milionë euro.

E sipas raportit të ZRRE-së, pritet që çmimi i energjisë së importuar të jetë më i ulët sesa në vitin paraprak. Derisa më 2023, një megavat ishte paraparë që të blihej me 157 euro për vitin 2024, ZRRE ka paraparë që çmimi të jetë 105 euro për megavat.

KESCO ka propozuar që të parashihet që çmimi i energjisë së importuar të jetë 133 euro për megavat.

“Parashikimet e FSHU-së për blerjet e energjisë elektrike nga importi sipas draft-bilancit të energjisë elektrike për vitin 2024 janë 140 GWh me një çmim mesatar të importit të parashikuar prej 133.40 €/MWh, sipas parashikimeve të fundit në tregjet ndërkombëtare, përfshirë edhe kostot e kapaciteteve të nevojshme për sjelljen e energjisë elektrike në vend”, thuhet në aplikimin e KESCO-s.

Edhe KEDS-i ka propozuar rritje të njëjtë të pagave për punonjësit e vet në shkallën sa ka propozuar KESCO, nën arsyetimin për të zvogëluar dallimin në paga në sektorin e njëjtë.

“Ky dallim po i demotivon punëtorët profesionalë duke i detyruar ata të lëvizin kundrejt kompanive private, KEK dhe KOST, paga mesatare e të cilëve është dukshëm më e lartë. Përderisa OSSH është kompani e rregulluar, shpenzimet operative të të cilit janë zvogëluar ndër vite dhe për më shumë në shpenzimet operative ka të aplikuar edhe faktorin e efikasitetit të përcaktuar nga ZRRE-ja, mundësia e OSSH-së për rritjen e pagave është pothuajse e pamundur në këto rrethana”, thuhet në propozimin e KEDS-it.

Më 2023 të hyrat maksimale ishin rritur për 51.2 milionë euro, gjë që kanë ndikuar që tarifat e energjisë të rriten për 15 për qind.

Ndërkaq, te KEDS-i të hyrat maksimale të lejuara sipas ZRRE-së do të jenë 128.84 milionë euro, apo 20 milionë euro më pak se që ka propozuar vetë kompania.

Më 2023, të hyrat maksimale të lejuara ishin 133.81 milionë euro apo rreth 5 milionë euro më shumë sesa që është propozuar tash.