Arrestohet oficeri i Burgut të Dubravës, dyshohet për të shtëna me armën zyrtare në Istog

Të shtënat me armë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Jo rrallëherë të dyshuar për raste të tilla kanë qenë edhe zyrtarë të institucioneve të rendit në Kosovë. Për një rast të tillë, që ka ndodhur dje në Istog, është arrestuar një oficer korrektues i Burgut të Dubravës, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për Z.Ll, 59-vjeçar, i cili po dyshohet se ka shtënë disa herë me armën zyrtare, në rrugën “Llapi”, në Istog të Poshtëm.

Kjo ka bërë që dikush ta njoftojë Policinë për gjuajtjen me armë, me ç’rast njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur tri gëzhoja, që më pas janë konfiskuar bashkë me armën e oficerit.

Oficeri i dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar për veprën me të cilën ngarkohet.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për “Mbajtje në pronësi, në kontroll posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armës”.