Rita ORA bën tatuazhin e parë në shqip fjalën “zog”, duke kujtuar se kështu e thërriste nëna e saj në fëmijëri

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka shtuar një tatuazh të ri në trupin e saj.

Ky tatuazh mund të jetë më i veçanti nga të gjithë ata që ka në trup, pasi është tatuazhi i saj i parë i një fjale në shqip.

Këngëtarja 29-vjeçare publikoi të premten në mbrëmje disa fotografi, duke treguar se kishte realizuar këtë tatuazh në qafën e saj.

Në mbishkrimin e fotografisë, artistja e lindur në Prishtinë bëri të ditur se arsyeja e realizimit të këtij tatuazhi kaq të veçantë, është fakti se nëna e saj, Vera Sahatçiu, e thërriste “zogu i mamit”, kur ajo ishte e vogël.

“Kur isha më e re nëna ime Vera Ora do të më thërriste mua zogun e saj, “Zogu i mamit”, thoshte ajo, që do të thotë zogu i saj i vogël në shqip. Prandaj faleminderit @_dr_woo_ që e bëri këtë kujtim për mua, e dua shumë. Dhe për xhevahiret e mia shtesë në gishta edhe dashurinë (zemrën)”, shkroi Ora në Instagram.
Ajo kështu e falënderoi artistin e tatuazheve që përveç tatuazhit “zog”, i ka realizuar asaj edhe tatuazhet e tjera siç janë aksesorët në gishtërinj dhe tatuazhi në formë zemre në gishtin e saj.

Nëna e këngëtares, Vera Sahatçiu-Ora, vitin e kaluar në një intervistë kishte rrëfyer se si ishte marrëdhënia mes tyre nënë e bijë.

“Unë jam shumë krenare për Ritën dhe arritjet e saj, do them sikurse çdo nënë që është e lumtur për sukseset e fëmijëve të tyre. Mirëpo çka më ka bërë posaçërisht krenare në veçanti është fakti që ajo gjithmonë ka njohur dhe promovuar origjinën e vendin e saj, edhe pse ka qenë njëvjeçare kur ne jemi shpërngulur në Londër”,

Rita Ora dhe familja e saj u shpërngulën nga Kosova për në Angli kur këngëtarja ishte vetëm një vjeçe, teksa e gjithë familja së bashku vitin e kaluar investuan në vendin e tyre amtar, duke blerë një shtëpi milionëshe në periferi të Prishtinës. KlinaInfo

SHARE