Ministri Kuçi gënjeu kur tha se biznesi i tij nuk ka borxhe në ATK, kjo është shuma që i detyrohet shtetit

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi gënjeu publikisht kur tha se biznesi e tij nuk ka borxhe të akumuluara në Administratën Tatimore të Kosovës.

I ftuar mbrëmë në emisionin Debat Plus për të diskutuar rreth tenderit 5 milionësh, për të cilin kompania e ministrit Kuçi nënshkroi kontratë në kohën sa ky është ministër, për ndërtimin e spitalit në Prizren, ai u pyet edhe nëse biznesi i tij ka detyrim ndaj shtetit, respektivisht borxhe të akumuluara ndaj ATK-së.

Në pyetjen e parashtruar nga panelisti Imer Mushkolaj “domethënë nuk keni borxhe të akumuluara në ATK”, Kuçi u përgjigj “Jo, jo”.

Burime të Gazetës Sinjali brenda Administratës Tatimore të Kosovës në Prizren përgënjeshtruan deklarimin publik të ministrit Kuçi kur tha se biznesi i tij nuk ka borxhe të akumuluara ndaj ATK-së.

Këto burime konfirmuan për Gazetën Sinjali se kompania “Hidroterm” SHPK në pronësi të ministrit Kuçi, me numër unik identifikues 810634867, ka borxh të akumuluar hiç më pak se 159 mijë e 491 e 77 euro.

Kujtojmë se kjo kompani edhe në vitin 2018 ishte e listuar në mesin e borxhlinjëve të ATK-së dhe si e tillë, siç duket figuron edhe sot, anipse lista e subjekteve që kanë detyrime ndaj ATK-së është hequr nga faqja zyrtare e kësaj të fundit.