Rihapet xhamia e madhe në Mekë, por nuk lejohet të preket Qabeja

Arabia Saudite rihapi vendin e shenjtë në xhaminë e madhe në Mekë të shtunën, por vizitorët nuk lejohet të prekin Qabenë, një vendim i marrë për të luftuar përhapjen e koronavirusit.

Autoritetet saudite kishin pezulluar pelegrinazhin për në vendin më të shenjtë të fesë myslimane këtë javë, për të sterilizuar ambientet. Por vendimi për të mos prekur objektin e shenjtë të kultit ka mbetur në fuqi. Të shtunën, disa qindra besimtarë u panë të ecnin rreth Qabesë, por nuk mund ta preknin atë, pasi ishte rrethuar nga një barrikadë e lartë.

Vendimi i paprecedentë ka ngritur pasiguri për pelegrinazhin e haxhit, që sipas llogarive duhet të zhvillohet në korrik, me mijëra besimtarë që nuk kanë informacion se si do të veprohet. Haxhi është një prej shtyllave të islamit dhe kryhet çdo vit nga miliona vetë.