Rasti i mashtrimit me viza – Milaim Zeka del para gjykatës, përmend Hashim Thaçin dhe Aleksandër Lumezin

Ish-deputeti i akuzuar për mashtrim me viza, ka thënë se ka prova që vërtetojnë se akuzën ndaj tij e kishte filluar ish-presidenti Hashim Thaçi, kryeprokurori Aleksandër Lumezi dhe prokurori special Afrim Shefkiu.

Ai këtë deklarim e ka dhënë në gjykimin ndaj tij dhe të akuzuarve I.K dhe E.K., të cilët po ngarkohen me veprat penale “Mashtrimi”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Pastrimi i parave”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kam përgjime telefonike ndaj atyre që e kanë fillu këtë aktakuzë, ndaj Hashim Thaçit, Aleksandër Lumezit dhe Afrim Shefkiut. Këtij prokurorit (duke iu referuar prokurorit Atdhe Dema) ia kanë lënë këmbët e arushës në dorë”, ka thënë i akuzuari Milaim Zeka.

Për këtë arsye, ai ka thënë se po etiketohet si “mashtrues i vizave”, “mashtrues i 900 personave”, e që sipas të akuzuarit M.Z., këto etiketime e kishin vrarë moralisht.

Për mua, prej që kam lind më ka dënuar regjimi i Titos, Millosheviqi ma ka vrarë familjen, por kërkush nuk më ka vra moralisht se sa akterët e kësaj aktakuze të turpshme për të cilat kam dëshmi”, ka thënë i akuzuari.

Dhënia e mbrojtjes së tij është ende duke vazhduar.