​Kurti priti në takim disa prej miqve të ngushtë të Ukshin Hotit

Disa prej miqve të ngushtë të Ukshin Hotit, Sherif Konjufca, Ekrem Kryeziu, Ali Kryeziu, Mentor Kaçi, i bënë një vizitë kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i shoqëruar nga Enver Dugolli dhe Liburn Aliu. Biseda mbuloi që prej kujtimeve të burgut deri në rrethanat e inteligjencës politike.

Aliu, Ekremi dhe Mentori kanë qenë të dënuar bashkë me Ukshinin në vitin 1981.

Enveri dhe Liburni kanë qenë shokët e burgut të Dubravës, prej ku edhe u zhduk Ukshin Hoti.

Ali Kryeziu tha se Ukshini ka qenë ideolog, jo politikan, sepse nuk mund ta thjeshtosh kurrë kompleksitetin e dijes së tij në analizues rrethanash, por vetëm ta ndeshësh si sintetizues politike.

“Ai ka qenë pra më shumë se ç’mund të themi për të. Ishte në natyrën e tij, si mendues e veprues, të trondiste çdo konceptim me një artikulim që e përmbyste dëshirën për me u vendos në një marrëdhënie të qetë me kohën”, tha ai.