Raportimet për rezervat shtetërore: Deputeti i VV-së kërkon nga MINT qasje në shpenzimet e grurit, vajit e sheqerit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, me anë të një letre ka kërkuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që t’i ofrohet qasje në dokumente publike, saktësisht shpenzimet e dedikuara për rezervat shtetërore.

Shpenzimet e dedikuara për rezervat shtetërore përfshijnë periudhën 2021-2023, të ndara si:

Pagesa të kryera dhe konfirmim të pranimit të sasisë së grurit (në rast të mos pranimit të mallit apo pranimit të pjesshëm të ceken arsye)
Pagesa të kryera dhe konfirmim të pranimit të pasurisë së vajit (në rast të mos pranimit të mallit, apo pranimit të pjesshëm të ceken arsyet)
Pagesa të kryera dhe konfirmim të pranimit të sasisë së sheqerit (në rast të mos pranimit të mallit, apo pranimit të pjesshëm të ceken arsyet)
Kërkesa e tij vjen pas raportimeve në media se kjo ministri ka paguar rezervat shtetërore, por se malli nuk ka ardhur.

Korenica ka kërkuar që kjo kërkesë të trajtohet konform afateve ligjore të përcaktuara paraprakisht.

Ai ka bërë lutje se në rast se dokumentet në fjalë përmbajnë të dhëna personale të mbrojtura në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të mbulohen ato, për çka është zotuar se ato të dhëna do t’i ruajë dhe do t’i përdorë konform ligjeve të fuqi të Republikës së Kosovës.