Policia e Kosovës dhe e Shqipërisë fillojnë patrullimet për rritjen e sigurisë në trafik

Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë filluar patrullimet e përbashkëta, meqë në këtë kohë frekuentohet vazhdimisht rruga që lidh dy vendet.

Kjo iniciativë është ndërmarrë me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në trafikun rrugor, si dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Sipas Policisë së Kosovës, ky patrullim i përbashkët po cilësohet si i suksesshëm, transmeton Klankosova.tv.

“Referuar numrit të shtetasve nga Kosova që shkojnë për pushime në Shqipëri dhe numrit të madh të mjeteve që qarkullojnë në akset rrugore në mes të dy vendeve, është vlerësuar i suksesshëm ky patrullim i përbashkët”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.