Rama uron Kosovën për vizat: Më në fund BE po e heq nga vetja njollën e turpit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar Kosovën pasi Këshilli i Ministrave miratoi me unanimitet liberalizimin e vizave.

“Një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Europës!

Urime jo vetëm Kosovës, po edhe Bashkimit Europian”, shkruan ai.

Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian kanë miratuar sot vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel.

Këshilli sot miratoi qëndrimin e tij në leximin e parë për lëvizjen pa viza për shtetasit e Kosovës.

Bashkimi Evropian e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai është paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti.

Hyrja në fuqi e këtij sistemi është kthyer në temë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, sepse me të është lidhur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.