Miratohet Projektligji për produktet medicinale – çmimi i një bari do të jetë njësoj në çdo barnatore

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka prezantuar Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale.

Ky Projektligj mori mbështetjen e plotë të kabinetit qeveritar.

Gjatë prezantimit të tij ministri Vitia tha se kjo është një politikë e re në mbrojtjen e qytetarëve tanë.

“Kjo nismë rregullon çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë, përfaqësuesit e mbajtësve të autorizimit për marketing dhe institucionet publike. Projektligji ka për qëllim që kostoja e barnave në tregun farmaceutik të jetë e përballueshme të jetë e krahasueshme me vendet e rajonit madje edhe më lirë, dhe vendet e tjera referente dhe çmimi i një bari do të jetë njësoj në çdo barnatore”, ka thënë Vitia.

Vitia shtoi se duke përcaktuar nivelizimin e çmimit të barnave dhe përcaktimin e çmimeve maksimale për blerje nga institucionet publike krijohet për herë të parë sistemi rregullativ në Kosovë.

“Miratimi i këtij Projektligji konsiderohet me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetësinë publike, duke ofruar qasje më të përballueshme të popullatës në barna të nevojshme. Ky sistem rregullativ është parakusht për themelimin e sistemit të rimbursimit të barnave”, tha Vitia.