Mbi 37 mijë përfitues të pensionit të veteranit të UÇK-së, aplikimet ende të hapura

Të dhënat deri në muajin shkurt, për numrin përfituesve të pensionit së veteranit të UÇK-së tregojnë se ky numë arrin në 37,015 përfitues.

Numri më i madh i përfituesve të pensionit të veteranit evidentohet në Komunën e Deçanit me gjithsej 4,071, e dyta renditet Komuna e Pejës me gjithsej 3,685 pastaj Komuna e Gjakovës me 3,390, pastaj renditet komunat e tjera.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bën të ditur se evidentohen tri komuna Zubin Potok, Mamushë, Graqanicë, të cilët kanë vetëm nga një veteran.

Sipas moshës, më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm, respektivisht 25,456 veteranë i përkasin moshës në mes 36 deri 55 vjeç, që përbëjnë 68.7 për qind.

Mbi 91 për qind përfituesve të pensionit të veteranit të UÇK-së i janë meshkuj, ndërsa mbi 9 për qind janë gra.

Në informata sqaruese të ASK-së, thuhet se numri i veteraneve lëviz, pasi që ende nuk iu ka ndërprerë e drejta e aplikimit për të përfituar nga kjo skemë në vazhdimësi ka aplikime te reja.

Pas vdekjes së veteranit, pensioni bartet tek bashkëshortja – bashkëshorti ose tek fëmijët nën moshën 18 vjeçare.

Në bazë të kategorisë, 34,762 veteranë të UÇK-së ndërsa 2,253 familja e veteranit pas vdekjes.

Mbi 6.1 milionë euro shuma e pagesës për pensionet e veteranëve për muajin shkurt. Shuma e pensionit për veteranin luftëtar është 170 euro në muaj, ndërsa për familjen e veteranit pas vdekjes së veteranit, është 114 euro në muaj.

“Nuk mund të jenë mbi 20 mijë veteranë”

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk mund të jenë mbi 20 mijë veteranë lufte.

“Nuk ka teori të jenë mbi 20 mijë veteranë të luftës, mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë. Pjesëmarrës ndoshta janë 60 mijë, ndoshta janë edhe më shumë se 60 mijë, por veteranë nuk mund të jenë 60 mijë”, citohet të ketë thënë kryeministri.

Kurti përmend edhe një efekt tjetër negativ që mund të ketë.

“Ka pasë një proces gjyqësor, i cili tani komplet arkivin po na e kthen neve në Qeveri, por ajo evidenca që ka rezultuar me numrin 60 mijë është shumë problematike, pra nuk është se nuk do të dëshiroja që këta njerëz t’i marrin këto mjete, por unë dua që këta t’i marrin ose me vende të reja të punës ose me asistencë sociale, por jo si veteranë të luftës, sepse na e deformon rrëfimin për luftën”, kishte thënë Kurti.

Tri ditë më vonë, kryeministri Kurti priti në takim, Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), së bashku me kryetarët e disa degëve të organizatës së veteranëve të luftës ku përvec disktutimit të mirëqenies dhe statustit të veteranëve u theksua përkushtimi për rritje të bashkëpunimit në mes të Qeverisë dhe OVL UÇK.

“Nuk është koha të flitet se kush është veteran e kush jo”

Ndryshe nga deklarimet kreut të Qeverisë, ish kryeministri dhe i pari i partisë AAK  [Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës],  Ramush Haradinaj, tha se nuk është koha të flitet se kush veteran i vërtet dhe kush jo.

Sipas tij, ka pas një proces gjyqësor ndërsa tash është koha t’i nderojmë dhe t’i respektojmë.

“Kur ju dalim përballë të gjithë ne fëmijëve, të vejave, nënave, familjarëve e të rënëve për liri atëherë vërtetë ata meritojnë një lajm të mirë prej nesh. Po ashtu nuk e meritojnë ofendimin që bash në këtë kohë me fillu me i kthye diskutimet kush është veteran i vërtetë apo jo, ka pas edhe një proces gjyqësor, tash është koha kur duhet t’i respektojmë e t’i nderojmë ata”, citohet të ketë thënë Haradinaj.

Në vitin 2018, Prokuroria Speciale e Kosovës akuzoi 12 anëtarë të komisionit qeveritar për verifikimin e veteranëve, mbi pretendimet se mijëra njerëz që kurrë nuk ishin pjesëtarë të UÇK-së u regjistruar në mënyrë të rreme si veteranë.

Ndër të akuzuarit ishte ish kreu i komisionit verifikues, Agim Ceku, ish-komandant i UÇK –së dhe ish-kryeministër i Kosovës dhe ish-ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës,  Rrustem Berisha.

Aktakuza  thotë se lista e veteranëve u fry nga ish-komandantët e UÇK-së në komision, dhe nga ish-krerët e UÇK-së që u bënë politikanë të lartë pas luftës, në mënyrë që të përfitojnë vota në zgjedhje, në këmbim të pensioneve që do t’u jepeshin.

Me 19 janar 2021, Gjykata e Prishtinës ka shpalli vendimin në rastin e njohur si “Veteranët”, duke i liruar nga akuza 12 personat të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Të akuzuar në këtë rast ishin Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.