Quni: VV po kontakton deputetët e LDK-së për formimin e institucioneve, dy janë në fokus news image

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po i kontakton deputetët e LDK-së në mënyrë individuale për të biseduar mbi formimin e institucioneve të Kosovës.

Në një prononcim për media pas dështimit të seancës së sotme të Kuvendit, Quni ka konfirmuar se edhe ai është kontaktuar nga përfaqësues të VV-së.

Sipas tij, VV-ja ka fokus të veçantë dy deputetët e LDK-së..

“Mundemi me thënë se kontaktohen të gjithë deputetët në forma të ndryshme, kontaktohem edhe unë. Kur kontaktohemi natyrisht se bëjmë pyetje a kanë autorizime dhe nga kush marrin detyra. Kontaktohemi nga zyrtarët e VV-së, kontaktohemi nga ndërmjetësuesit e tyre, por është fakt që dy deputetë të LDK-së janë në fokus të vençat të interesimit të autoriteteve të VV-së”, tha Quni.

Ai gjithashtu theksoi se identiteti i dy deputetëve që janë në fokus të interesimit të VV-së është çështje e diskrecionit të atyre që janë kontaktuar.

“Mbetet në diskrecionin e atyre të tregojnë”, tha Quni, duke refuzuar të përmendë emrat e deputetëve të përfshirë.