QKUK/ Pacientët e prekur me COVID-19 detyrohen t’i blejnë vet ilaqet!

Qytetarët e vendit tonë po vazhdojnë të përballen me pandeminë COVID-19, madje ditëve të fundit numri rasteve pozitive është shtuar dukshëm, gjë që ka shtyrë edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës që të rikthejë disa masa, të cilat hyrën në fuqi të hënën.

Në anën tjetër Klinika Infektive po vazhdon të stërmbushet, ku edhe vet personeli shëndetësor po bëjnë apel për kujdes, pasi që mund të ketë kolaps.

Kështu jo vetëm Klinika Infektive, po edhe ajo e Pulmologjisë është shndërruar në një vend për trajtimin e të infektuarve me COVID-19, madje burime të Indeksonline mësojnë se një përqindje e stafit është prekur nga ky virus.

Jo vetëm kaq, pacientët e shtrirë brenda kësaj klinike po detyrohen t’i blejnë vet ilaqet në mungesë të tyre, duke nisur nga ato më esenciale.

Burimet tona mësojnë se ka dy ditë që ilaqet si Fraxiparin (injeksion), Paracetamol Tablet, Almeida ampul për inhalim, Budineb ampul për inhalim dhe Maska për inhalim, mungojnë brenda këtij institucioni shëndetësor.

Indeksonline ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me mungesën e këtyre ilaqeve si dhe kapacitetit që ka momentalisht Klinika e Pulmologjisë, por që të njëjtit s’kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, momentalisht në vendin tonë janë 3886 të infektuar, 2003 të shëruar dhe 82 të vdekur.

Ndërsa, në Klinikën Infektive të QKUK-së, sot gjinden të hospitalizuar 107 raste me Covid-19.

Sipas njoftimi të kësaj klinike, 55 raste janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Në repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 2 raste; 2 rastet janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Ndërsa dje janë lëshuar nga Klinika Infektive 7 pacientë./