Qindra mjek ikin nga Kosova, 15 mjek nga diaspora të interesuar të kthehen

Në kohen kur shëndetësia kosovare gjendet në kaos, e ku numri i punëtorëve shëndetësor që po ikin nga Kosova po rritet çdo ditë, Ministria e Shëndetësisë zgjidhjen e ka gjetur në thirrjen e profesionistëve shëndetësor nga jashtë. MSH u ka bërë thirrje profesionistëve shëndetësor të kthehen e të punojnë në Kosovë.  Deri tani thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë i janë përgjigjur 15 profesionist shëndetësor, të cilët janë të interesuar të kthehen.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për “IndeksOnline” ka deklaruar se deri tani janë 15 profesionist shëndetësor, të cilët i janë përgjigjur thirrjes për tu kthyer dhe ta ushtrojnë profesionin këtu.

“Thirrjes të Ministrisë së Shëndetësisë për profesionistët shëndetësorë që jetojnë në mërgatë, deri me tani i janë përgjigjur rreth 15 profesionist shëndetësor, mjekë dhe profesionistë të tjerë shëndetësor. Aktualisht jemi në fazën e shqyrtimit të kontaktimit të tyre. Ndërsa procedurat tutje mbeten për tu zhvilluar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

 Por sa janë të interesuar mjekët nga diaspora të vijnë në Kosovë e të punojnë në një sistem i cili çdo ditë përballet me mungesë të barnave e materialeve bazë për të kryer punën e tyre, mbetet të shihet.

Shumë nga ta të cilët kanë kryer specializim në shtete evropiane të cilat kanë një mjekësi të avansuar, thonë se e kanë të pamundur të kthehen dhe të punojnë një sistem shëndetësor çfarë ka Kosova. Ata madje pohojnë se nuk është vetëm paga ajo që i ndalon ata të kthehen.

Sevdije Bytyqi , pulmologe në Gjermani e cila që dhjetë vjet ushtron profesionin si mjeke atje, thotë se në kohën kur kishte shkuar, kishte menduar që shumë shpejtë do të kthehet dhe se gjërat në shëndetësinë kosovare do të përmirësohet. Por se kjo nuk ndodhi dhe se ajo e ka të pamundur të kthehet dhe ta ushtrojë profesionin e saj në Kosovë, duke marrë parasysh se si funksionon sistemi shëndetësor në vend.

“Me dëshirën me te madhe isha kthy në Kosovë, për të dhëne kontributin tim. Por Qeveria duhet së pari te përmirësoj kushtet e punës në institucionet shëndetësore. Duhet Klinikat dhe Ambulantat te pajisen me mjete të nevojshme për diagnostikim dhe trajtim adekuat të pacienteve. Pa pasur nevoje qe pacientët të dërgohen ne laboratorë e klinika private, për të kryer ekzaminime te ndryshme, në kuadër të Diagnostikimit të sëmundjeve të caktuara. Të bëhemi të pasur, në krah të njerëzve të varfër, të cilët kafshatën e bukës e ndajnë për një analize a Ekzaminim. Në këtë gjendje në të cilën është shëndetësia jone , është shumë problem që unë përvojën time nga Gjermania, ta zbatoj në Kosovë”, thotë ajo.

Bytyqi nuk përjashton mundësinë që një ditë të kthehet në Kosovë, por vetëm atëherë kur shëndetësia do të ketë një përkushtim maksimal për pacientët dhe kur mjekeve do t’u sigurohet  infrastruktura e nevojshme, për ta ushtruar profesionin e tyre në mënyrë dinjitoze.

“Duhet te ndryshohet gjithçka dhe te punohet me seriozitet e përkushtim maksimal ndaj pacientit. Ka shume për tu bërë. E për këtë nuk duhen vetëm aparatura. Por duhet përkushtim ndaj punës dhe pacientit”, thotë ajo.

Ndryshe vetëm gjatë vitit 2022, 205 mjekë zgjodhën të largohen nga vendi për të ushtruar profesionin e tyre, jashtë kufijve të Kosovës.  

SHARE