Qeveria Hoti pritet të anulojë të gjitha konkurset e shpallura nga Bordet e “Kurtit”

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti pritet që shumë shpejt të marr vendim për anulimin e të gjitha konkurseve për drejtor të ndërmarrjeve të shpallura në kohën sa Albin Kurti ishte kryeministër në detyrë.

Burimet e IndeksOnline kanë thënë se vendimi do të merret këto ditë pasi që do të analizohen në detaje veprimet e qeverisë së kaluar e cila ka shkarkuar shumë borde e drejtor të ndërmarrjeve publike.

Inspektorati i Punës ka gjetur shkelje pothuajse në të gjitha shkarkimet e drejtorëve dhe kjo ka bërë që vendimet e qeverisë Kurti të rishqyrtohen në detaje nga qeveria Hoti.

“Qeveria e re do të anulojë të gjitha konkurset dhe do të përgatitë konkurs të rregull ku do të përfshihet edhe Ambasada e Britanisë së Madhe e cila do të asistonte në rekrutimin e njerëzve kredibil nëpër bordet e ndërmarrjeve publike dhe në përzgjedhjen e drejtorëve të ndërmarrjeve publike”, kanë thënë burimet e IndeksOnline.

Deri në fund të javës do të përfundojnë edhe afatet për konkurset e shpallura nga bordet e përkohshme dhe më pas procesi pritet të kthehet në pikën zero.

Rikujtojmë se bordet aktuale janë të përkohshme të emëruara nga qeveria Kurti e ku në disa prej tyre janë sistemuar njerëz që janë të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

IndeksOnline dje ka marr përgjigje nga Zyra e Kryeministrit Hoti sa i përket bordeve të përkohshme të ndërmarrjeve publike.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i shqyrtojë me shumë kujdes vendimet e emërimit dhe shkarkimit të bordeve të përkohshme të ndërmarrjeve publike nga qeveria e kaluar. Nëse konstatohen parregullsi, shkelje ligjore apo procedurale, sigurisht që do të ndërmerren hapa përkatës”, thuhet në përgjigjet e Zyrës së Kryeministrit për IndeksOnline.

“Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, do të respektojë të gjitha vendimet që dalin nga organet kompetente siç janë gjykatat dhe Inspektorati i Punës e të cilat janë të thirrura për vlerësimin e ankesave që bëhen nga ana e zyrtarëve të shkarkuar, po qe se ato konstatojnë se ka pasur shkelje procedurale dhe ligjore me rastin e shkarkimit të anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike. Procesi i emërimit të anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike të depolitizohet tërësisht dhe në to të emërohen vetëm profesionistë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Ndryshe, deri tani Inspektorati i Punës ka gjetur shkelje në shkarkimin e Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, Njazi Thaçi, Drejtorit të Telekomit, Bedri Istrefi dhe të Drejtorit të Ndërmarrjes “Trepça”, Basri Ibrahimi./