Punëtorët e KRU Hidrodrini, në ditën e dytë të protestës, kërkojnë barazimin e koeficientit

Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”, përmes grevës njëorëshe për të dytën ditë radhazi, kanë protestuar për kushte më të mira të punës e sidomos ngritje të koeficientit të pagës.

Me këtë rast kryetarja e Shoqatës Sindikale pranë KRU ‘Hidrodrini’, Anxhelina Krasniqi, tha se pavarësisht adresimit të kërkesave te menaxhmenti dhe bordi, sipas tyre, këto pakënaqësi dhe kërkesa nuk janë marrë në konsiderim. Madje ajo ka shtuar se për të punuar në sistematizimin e vendeve të punës, ata i kanë dhënë kohë për më shumë se dy vite.

“Çuditërisht gjatë hartimit të kësaj rregullore është bërë një diskriminim shumë i madh në mes punëtorëve të KRU ‘Hidrodrini’ në Pejë me KRU-të tjera në nivel të vendit, pra gjithsej gjashtë sosh. Diskriminimi është bërë pikërisht në vlerën e koeficientit. Kolegët tanë në Ndërmarrjet publike të Ujësjellësit tash e dy vjet e kanë vlerën e koeficientit 240, kurse ne këtu në ‘Hidrodrini’ e kemi të caktuar tash së fundi nga Bordi i Drejtorëve 190. Pra arsyeja e grevës së sotme është që edhe ne të barazohemi me kolegët tonë sepse neve na mundëson i njëjti legjislacion”, ka thënë Krasniqi.

Sindikalistët e KRU Hidrodrini në Pejë kanë paralajmëruar shqyrtimin e formave të tjera të kundërshtimit.

Ndryshe, sot në ditën e dytë protesta është shtrirë edhe nëpër Njësi Operative.

Në anën tjetët Menaxhmenti i KRU ‘Hidrodrini’ në një përgjigje për RTK-në rreth kaj proteste, ka thënë se, Situata financiare bashkë me kërkesat e Sindikatës është duke u analizuar hollësisht.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm zyrtar me përfaqësues të Sindikatës, në nivel të Menaxhmentit të lartë. Situata financiare bashkë me kërkesat e Sindikatës është duke u analizuar hollësisht dhe krerët e Sindikatës do të mbahen të informuar për secilin detaj. Zyrtari Kryesor Financiar z. Besnik Zeqiraj është në bashkëpunim dhe koordinim me KE-në, Bordin Drejtues dhe mekanizmat tjerë, për ta analizuar situatën financiare dhe më pas ti përgjigjen kërkesave të Këshillit Grevist. Jemi transparent në veprime”. – thuhet në përgjigjen nga Zyra për Media e KRU ‘Hidrodrini’-Pejë.