Pse Klina nuk nderon apo nuk përkujton ish-sportistët dhe kontribuesit e sportit?

Shkruar nga Miftar Dragidella

Shkas i këtyre rreshtave është botimi i librit të Sali S. Marmullakut “Magjia e futbollit ndër vite”, nga Shtëpia botuese „Lena“ Prishtinë.

Klina gadi e vetmja komunë në Kosovë që harron të respektojë të arriturat e sportit në territorin e vet në ditët më të vështira. Fundviti është gjithmonë koha kur rrumbullaksohen rezultatet. Kështu është edhe në sport. Rrumbullakësimi i rezultateve bëhet edhe për dekada apo për shekuj.
Ajo që vërehet në komunën e Klinës është që ata që dikur dhanë shumë për mbajtjen gjallë të jetës sportive në komunë, harrohen krejt. Si nuk u gjet një moment që ata që sakrifikuan shumë dhe jetën e rrezikuan për të zhvilluar sportin, të nderohen apo së paku të falënderohen, ashtu siç falënderohen për fusha tjera të veprimtarive. Orientimi politik i udhëheqjes komunale nuk do të duhej të ishte pengesë, edhepse në të kaluarën është vërejtur një gjë e tillë. Shpresuam që dikur dikujt do t´i bjerë ndërmend që të nderojë ato gjenerata të tëra që sportit të Klinës i sollen suksese.
Klina në periudhat e kaluara pati sportistë kulminantë që hyjnë në mesin e më të mirëve në Kosovë, bile njeri prej tyre ishte shpallur edhe më i miri në Kosovë në disiplinën e vet, pastaj Klina ka aktivistë që dikur e orientuan aktivitetin sportiv në komunë dhe ato gjenerata krenohen me atë kohë.
Drejtoria e Sportit po edhe strukturat komunale pse të mos mirren pak edhe më të kaluarën? Po të mos ishte e kaluara nuk do të kishim as të sotmen.
Që ta na sjellë në kujtesë këtë që e thamë më lart ndikoi një botim simpatik i njërit prej kontribuesve të asaj kohe, Sali Marmullakut me titull: “Magjia e futbollit ndër vite“ (Historia e futbollit në Klinë e rrethinë, rrëfime dhe shënime).
Autori në këtë botim bën përpjekje të pasqyrojë zhvillimin e futbollit në një periudhë të caktuar kohore dhe këtë, e bën me sukses, edhepse aty-këtu do të kishte vend për plotsësime, porse me mundësitë e veta autori ka arritur një qëllim që është për lakmi.
Mjetet shoqërore shpenzohen ndoshta edhe pa ndonjë kriter apo edhe pa ndonjë planifikim të arsyeshëm që do të sillte dobi për gjeneratat e ardhshme e nuk dedikohen aty ku do të ishte një arsye e fortë, siç është botimi i një libri të tillë.
Nuk është një periudhë shumë e moçme dhe shumë gjëra ende nuk i ka mbuluar harresa. Që ato të mos harrohen kontribuon libri i Sali Marmullakut.
Si shembull do ta përmendim se gjatë dy takimeve që patëm me udhëheqës të tashëm të KF Dukagjini, asnjëri prej tyre nuk e dinte të kaluarën e klubit, lërë kur quhej KF Malishgan, porse as nga viti 1992 kur u ripagëzua KF Dukagjini! Aq më keq kur edhe një monografi e FFK-së ofron shënime të gabueshme për KF Dukagjnin.
Çka do të thonë ata kur kësi pyetje u shtrohen edhe nga struktura evropiane apo botërore. Do të rrudhin krahet ose do të thonë: Çdo gjë filloi me ne.
Kontribues të sportit e posaqërisht të futbollit në Klinë pati që nga ata që derdhën djerës në fushat gati të improvizuara, ata që rrezikuan jetën për të mbajtur gjallë aktivitetet rinore, ata që ndanë kafshatën e gojës për të zhvilluara atë aktivitet e ata që nuk iu ndanë këtyre që i përmenda në të gjitha arenat sportive duke i shoqëruar edhe jashtë Klinës e duke i përkrahur.
E sot, sa dinë strukturat sportive të tashme të Klinës për ato aktivitet? Pak ose hiq pasi as tash pas gadi 40 vjetëve nuk u kontaktuan kurrë ata që në ato vite bartën barrën kryesore. Ata jo vetëm që e kryen misionin e tyre por nuk e harruan sportin klinas duke e ndihmuar edhe materialisht, porse ne shoqërinë tonë, kur njerëzit ndrrohen nga vendet e tyre sikur marrin me vete edhe kujtimet dhe nuk i përcjellin tek pasardhësit.
Shpresojmë që strukturat komunale një ditë do të kujtohen dhe të thrrasin disa prej atyre kontribuesve (sa janë në këtë jetë, ngase disa më nuk janë ne mesin tonë) dhe t´i falënderojnë për atë që ata e bënë që sot sporti klinas të jetë këtu ku është.

Ne foto: Autori Sali Marmullaku, më dhuron mua si ish-kryetar i Lidhjes futbollistike të Klinës e ish-kryetar i KF Dukgagjini, librin kushtuar futbollit klinas