PSD kërkon lirimin e Molliqajt dhe Megjuanit: Po mbahen padrejtësisht në burg

Një ditë pas arrestimit të kreut të PSD-së, Dardan Molliqajt dhe aktivistit Adem Megjuani, kjo parti ka reaguar përsëri.

Përmes një postimi në Facebook, PSD ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Molliqajt dhe Megjuanit, pasi që sipas tyre po mbahen padrejtësisht.

“Qëllimi përfundimtar i një aksioni të tillë të arrestimit, me plot skandale e parregullsi është frikësimi. Por nuk frikësohemi, as nuk zbrapsemi”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Reagimi i plotë:

Të lirohen menjëherë Dardan Molliqaj dhe Adem Megjuani të cilët po mbahen padrejtësisht në burg.

Dardan Molliqaj nuk i është treguar fletëarresti para se të arrestohet dhe as në stacion të policisë.

Asnjë ftesë për thirrje nuk i është dorëzuar Dardan Molliqajt sipas Procedurës së Kodit Penal. Dardani ka qenë në shtëpinë e tij dhe në zyrë.

Ai ka vazhduar aktivitet e tij, takimet në qytet e konferencën për media në zyrë. Arrestimi i tij, me 60 policë, pak para emisionit televiziv, është politik. Pushteti dëshiron të hesht opozitën kritikuese.

Ndërkohë, aktivisti Adem Megjuani iu përgjigj pozitivisht ftesës së pranuar nga policia dhe u paraqit në stacionin policor në kohën e caktuar sipas ftesës. Pavarësisht kësaj, ndaj tij u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orëve.

Kjo tregon që çështja nuk është aspak procedurale. Qëllimi përfundimtar i një aksioni të tillë të arrestimit, me plot skandale e parregullsi është frikësimi. Por nuk frikësohemi, as nuk zbrapsemi.