Protesta e serbëve në veri, Policia e Kosovës thotë se janë angazhuar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë

Në mesin e shumë zhvillimeve gjatë ditëve të fundit në vend, Lista Serbe ka paralajmëruar protestë në veri të Kosovës për ditën e sotme.

Kjo është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kanë theksuar se janë duke u angazhuar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës”,thuhet në njoftimin për media.

Gjithashtu u tha se bazuar në informacionet dhe paralajmërimet për mbajtjen e protestave/tubimeve për sot, në disa komuna me komunitet serb, Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare ka bërë planifikimet e saja operacionale.

Tutje u tha se plani operacional i Policisë së Kosovës parasheh ndërmarrjen e masave operative policore, për t’u siguruar se mbarëvajtja e protestave/tubimeve të kalojë e qetë dhe pa incidente, mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Si çdo herë, Policia e Kosovës, fton qytetarët që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”,thuhet në njoftim.