Nëntë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit

Sipas Policisë së Kosovës, në 24 orët e fundit janë raportuar nëntë raste të dhunës në familje, pesë prej tyre raportohen të kenë ndodhur në Prishtinë teksa rastet e tjera janë në Fushë Kosovë, Pejë, Istog dhe Mitrovicë.

Sipas policisë, në katër prej rasteve të ndodhura në kryeqytet, të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Në rastin e parë një burrë ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, edhe në rastin e dytë viktima e dhunës raportohet të jetë një bashkëshorte që ka pësuar lëndime trupore pasi është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Teksa, në rastin e tretë një burrë raportohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur.

Ndërkaq, lidhur me rastin e katërt PK-ja ka bërë të ditur se pas një pune hetimore të një rasti të raportuar më 22 mars, më datën 4 prill është arrestuar një burrë dhe i njëjti me vendim të prokurorit të shtetit pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në rastin tjetër në Prishtinë, raportohet se është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj djalit të tij të mitur. Këtij të fundit i është ofruar trajtim mjekësor dhe me vendim të prokurorit prindi i tij është liruar në procedurë të rregullt.

Lidhur me rastin në Fushë Kosovë, Policia ka bërë të ditur se është arrestuar një burrë pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, me ç’rast kësaj të fundit i është ofruar tretman mjekësor dhe pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Sa i përket rastit në Istog, në njoftimin e PK-së thuhet se është arrestuar një burrë që dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj djalit të tij.

“Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, është thënë në njoftim.

Sipas Policisë, një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar të hënën në Mitrovicë. Një grua ka raportuar se ka probleme me bashkëshortin e saj i cili ushtron dhunë psiqike ndaj saj duke e ofenduar në mënyra të ndryshme, ndërsa dy fëmijët e saj i ka sulmuar fizikisht. Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante policore.

Një rast i ngjashëm raportohet të ketë ndodhur në Pejë, ku sipas Policisë është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht djalin e tij. “I dyshuari po ashtu ka kanosur edhe viktimën bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.