Profesori rus: Putini vuan nga sëmundja e Parkinsonit, do të pensionohet në janar

Një profesor i njohur rus, i quajtur Valery Solovei, ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, vuan nga sëmundja e Parkinsonit. Sidoqoftë, këtë e ka mohuar Kremlini, duke thënë se Putini nuk do të pensionohet nga politika.

Lideri autoritar që është në pushtet për një kohë të gjatë ka qenë subjekt i thashethemeve pas deklaratës së profesorit Solovei, i cili e vuri në pikëpyetje shëndetin e njërit prej njerëzve më të pushtetshëm të botës.

Sipas këtij profesori, Putini ka bërë edhe plan për pensionim duke krijuar projektligj me të cilin ai do të ishte senator tërë jetën dhe do të kishte imunitet nga ndjekja ligjore deri në vdekje, shkruan Daily Mail.

Solovei shtoi se Putini do ta bëjë publik kalimin e pushtetit te dikush tjetër në janar dhe se kryeministrin e ri do ta caktojë vetë.

Megjithatë, të premten në mëngjes, zëdhënësi i Kremlinit dhe zëvendësshefi i stafit, Dmitry Peskov, i mohoi këto pretendime, duke i cilësuar si tërësisht të pakuptimta.

Ai tha se Putini ka shëndet të shkëlqyeshëm dhe nuk ka plane për pensionim gjatë një interviste për Bloomberg.

Kjo nuk është hera e parë që spekulohet se Putini nuk ka shëndet të mirë. Në video të publikuara më parë, Putini shihet duke e lëkundur më pak krahun e djathtë në krahasim me të majtin gjatë ecjes.

Lëkundja josimetrike e krahëve dhe duarve gjatë ecjes është një ndër simptomat karakteristike të sëmundjes së Parkinsonit, sipas British Medical Journal.