Policia me kamera në trup, paralajmëron drejtori i Policisë

Shtatë zyrtar policor janë suspenduar mbrëmjen e kaluar në Stacionin Policor të Gjakovës ndërsa tre nga ta, përfshirë edhe njërin polic i cili është djali i një komandanti, janë arrestuar nën dyshimet për keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare si dhe lëndim të rëndë trupor.

Pas ngjarjeve të fundit, ku të përfshirë kanë qenë edhe zyrtarët policor, Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka vizituar edhe menaxhmentin e Drejtorisë Rajonale në Gjakovë.

Në këtë vizitë përveç Mehmetit, kanë qenë edhe drejtori i Departamentit për Operacione Gazmend Hoxha si dhe drejtori i Divizionit për Standarde Profesionale, Izet Azizi.

Qëllimi i kësaj vizite ishte diskutimi rreth rasteve të fundit që kanë të bëjnë me sjelljet e zyrtarëve policor, me disiplinën dhe përdorimin e forcës.

“Drejtori Mehmeti, në këtë vizitë pune, në të cilin ishin prezent menaxhmenti i Drejtorisë Rajonale Gjakovë, komandantët e stacioneve dhe epror të profileve të ndryshme, i njoftoi mbi qëllimin e vizitës e cila kishte të bëjë me ngritjen e disiplinës, integritetit dhe imazhit policor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ai ka kërkuar që të ngritët përgjegjësia në menaxhim dhe mbikëqyrje nga eprorët e të gjitha niveleve, ndërsa me qëllim të rritjes së nivelit të mbikëqyrjes, ka thënë se do të bëhen hetime dhe inspektime në të gjitha nivelet.

Gjithashtu Mehmeti ka kërkuar që të realizohen trajnime shtesë në fusha të ndryshme, komunikimit, disiplinës, taktikave mbrojtëse, përdorimit të forcës e të tjera.

Sipas njoftimit të policisë thuhet edhe se Mehmeti ka kërkuar që të bëhet ricertifikimi, këshillimi dhe rishikimi i procedurave të angazhimeve policore në fushën e përdorimit të forcës, e gjithashtu të raportohen dhe iniciohen të gjitha rastet, ku mund të ketë tejkalim të autorizimeve policore apo sjellje në kundërshtim me parimet dhe procedurat policore.

“Menaxhmenti i Policisë së Kosovës, do të mbetet i përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit, andaj nuk do të tolerohen sjelljet e mundshme jo profesionale dhe tejkalimi i autorizimeve policore”, thuhet nder te tjera në njoftim.

Pjesë e planifikimeve shtesë, siç thuhet në njoftimin e PK-së, janë edhe realizimi i projekteve për vendosjen e pajisjeve të kamerave të trupit për punonjësit policor, e cila do të mundësojë një qasje më profesionale, ngritje të transparencës dhe menaxhim më efikas.

Po ashtu menaxhmentit i PK-së, ka thënë se është duke realizuar edhe projektin e vendosjes së kamerave në të gjitha rajonet, stacionet policore, i cili sipas planifikimeve pritet të përfundojë brenda këtij viti.

“Policia e Kosovës, njëherë inkurajon të gjithë qytetarët të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm apo sjellje joprofesionale nga ana e zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftim.

Raste të shumta janë raportuar ditëve të fundit ku zyrtarët policor janë suspenduar si rrjedhojë e keqtrajtimit të qytetarëve. Dy zyrtar policor janë arrestuar për keqtrajtimin e një të riu brenda një stacioni policor në Prishtinë.

Tre zyrtarë tjerë në Prishtinë, janë suspenduar nën dyshimin se kishin ushtruar dhunë fizike ndaj disa personave.