Policia konfiskon në veri Mercedesin në vlerë mbi 100 mijë euro, ishte në kërkim nga autoritetet zvicerane

Bashkëpunimi profesional në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Zvicrës, ka rezultuar me konfiskimin e një veture me vlerë të përafërt mbi 100 mijë euro

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion nga autoritetet e Policisë Federale të Zvicrës në lidhje me dyshimin se një veturë e llojit Mercedes e cila ishte në kërkim nga autoritetet zvicerane, mund të jetë në territorin e Republikës së Kosovës.

“Përmes bashkëpunimit profesional me Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), po ashtu edhe angazhimit të jashtëzakonshëm dhe veprimit të shpejtë e profesional, të zyrtarëve policorë nga DRP Mitrovicë Veri, më datë 10.10.2023 është arritur të gjendet dhe konfiskohet vetura e llojit Mercedes (vlera e përafërt mbi 100 000 €) e cila ishte në kërkim në Zvicër”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.

Tashmë rasti është duke u trajtuar konform procedurave ligjore nga njësitë përkatëse policore.

Policia e Kosovës përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU) ka një bashkëpunim të shkëlqyer me institucionet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit si dhe ky bashkëpunim do të vazhdoj në frymën e besimit dhe bashkëpunimit edhe në të ardhmen.