Vuçiq: Po bëhet spastrimi etnik i serbëve në Kosovë, vendi ynë është në situatën më të vështirë ndonjëherë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq iu është drejtuar sot popullit ku ka folur rreth situatës në Veri.

Vuçiq dje është takuar me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, me të cilin ka biseduar për situatën në Kosovë dhe mënyrat e deeskalimit në veri.

“Dje pata bisedime me përfaqësuesin evropian në dialogun me Prishtinën, Miroslav Lajçak, dhe BE-ja u përpoq sa më shumë që të kërkonte një lloj deeskalimi. Republika e Serbisë përmbushi gjithçka që kërkohej nga ajo që të ndodhte deeskalimi, por nuk po ndodh, sepse regjimi në Prishtinë nuk e dëshiron këtë”, tha Vuçiq.

“Sot vendi ynë është në situatën më të vështirë, jo për fajin e tij, jo për mendjelehtësinë e tij, por për shkak të aktiviteteve të përditshme të regjimit në Prishtinë, apo atyre që heshtin apo i shikojnë mirë këto veprime dhe që po kryejnë atë që unë do ta quaja spastrim etnik të heshtur në Kosovë, ku serbët nuk kanë të drejtë të jetojnë nëse nuk i janë betuar regjimit të Albin Kurtit. Fatmirësisht janë shumë pak të tillë”, shtoi Vuçiq.

“Dëshiroj t’ju informoj se ky aksion i persekutimit dhe spastrimit etnik i kryer nga regjimi i Prishtinës kundër popullit serb në Kosovë dhe Metohi është mirë i organizuar, i planifikuar dhe i mbështetur në thelb nga qarqe të caktuara në bashkësinë ndërkombëtare.

“Në një, ata morën një vendim që serbët më të dukshëm që mund të ishin pikë e rezistencës ndaj regjimit në Prishtinë, ata njerëz duhet të arrestohen ose vriten. Ai aksion filloi në Shtërpcë që në vitin 2021. Personat që u arrestuan më pas në paraburgim janë tashmë një vit e gjysmë dhe janë arrestuar për gjoja keqpërdorim të pozitës zyrtare. Nuk ka një rast të tillë në botë. Shtërpcës i është prerë koka”, deklaroi Vuçiq.