Policia jep detaje rreth arrestimit të Bilall Kqikut, i cili ra nga kati i 4-të në përpjekje për t’i ikur arrestimit

Policia e Kosovës ka reaguar pas një ngjarjeje të rëndë që ndodhi sonte, rreth orës 20:30, në lagjen e Spitalit në Prishtinë.

“Sot rreth orës 20:30, në lagjen e Spitalit në Prishtinë, një person ka rënë nga lartësia e një ndërtese. Bazuar në informacionet e para nga vendi i ngjarjes, i dyshuari i cili po kërkohej me urdhër-arrest vendor dhe ndërkombëtar, për veprën penale vrasje e rëndë, në përpjekje për t’iu shmangur arrestimit policor, ka rënë nga një lartësi dhe për pasojë ka pësuar lëndime trupore. Të njëjtit menjëherë i është ofruar tretmani mjekësor, për tu transferuar më pas në QKUK”, thuhet në njoftim,

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Vëllëzërit Asllani”, ku sipas burimeve, bëhet fjalë për Bilall Kqikun, personin e kërkuar në lidhje me vrasjen e rëndë që ndodhi më herët këtë vit në fshatin Kolovicë të Prishtinës.