Kërkohet vazhdimi i paraburgimit për Salih Mustafën, Prokuroria dyshon se mund të arratiset

Prokuroria ka bërë kërkesë për vazhdimin e paraburgimit për Salih Mustafën me dyshimin se ai mund të arratiset edhe jashtë Kosovës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake duhet ta konsiderojë këtë rrezik gjithashtu edhe për shkak të vështirësive që mund të lindin në ndjekjen e një të arratisuri jashtë Kosovës”, thuhet në argumentin e Prokurorisë.

E sipas Prokurorisë problematikë tjetër është edhe fakti se Specialja mund të kërkojë dorëzimin e tij vetëm me vendet që Kosova ka marrëveshje për ekstradim.

“Ka vetëm një numër të vendeve me një marrëveshje të tillë. Kjo situatë është dukshëm më ndryshe nga juridiksionet dhe institucionet e tjera si Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi, i cili mund të kërkojë një bashkëpunim më të gjerë detyrues në bazë të kompetencave të tij rrjedhin nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Siç përshkruhet në kërkesën për urdhërarrest i akuzuari nuk ka ndonjë problem shëndetësor apo fizik që do ta kufizonte aftësinë e tij për të udhëtuar, dhe që padyshim ka lidhjet për t’u larguar nga Kosova në mënyrë ilegale nëse është e nevojshme dhe mund të udhëtojë në shumicën dërrmuese të vendeve të botës, duke e vendosur kështu veten përtej arritjes nga Specialja”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit për Mustafën.

Kurse mbrojtja ka insistuar se i akuzuari do të paraqitet në secilën prej seancave që mund të kërkohen, raporton KOHA.

“Mbrojtja parashtron se nëse ndonjë thirrje për t’u paraqitur kërkohet, ose do të caktohet ndonjë orar, atëherë i akuzuari do të paraqitet në secilën seancë gjyqësore, qoftë përes VTC-së apo në vivo. I akuzuari do të paraqesë vullnetarit pasaportën e tij për t’u siguruar që ai nuk do të largohet nga vendi, ose nëse është e nevojshme, do të kërkojë leje nëse ndonjë udhëtim lidhur me punën do ta kërkonte. Në thelb, i akuzuari do të qëndrojë në shtëpi me familjen e tij dhe do të punojë në punën e tij aktuale në mënyrë që të sigurojë të ardhurat për familjen e tij”, thuhet në argumentin e mbrojtjes që Mustafës të mos i vazhdohet paraburgimi.

Gjithashtu mbrojtja shton se, “gjyqtari i procedurës paraprake duhet të rishikojë paraburgimin e të akuzuarit në bazë të materialit të çështjes aktuale dhe të përcaktoje nëse ka ndonjë material shtesë (edhe pas 5 muajsh) që është siguruar për të mbështetur pretendimet e bëra brenda deklaratave inkriminuese. E përveç kësaj, materiali të paktën do të duhej të demonstronte përfshirjen e drejtpërdrejtë të të akuzuarit në secilin prej krimeve të pretenduara”.

Vendimi duhet të merret deri të hënën, më 23 nëntor.

“Vendimi merret sa më shpejt që të jetë e mundshme dhe jo më vonë se tri (3) ditë pas parashtrimit të fundit”, thuhet në Rregulloren për Procedura dhe Prova