Policia gjen kombin e vjedhur në Klinë dhe bagëtitë e vjedhura në Prizren

Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën në Prizren ka gjetur një automjet kombi të vjedhur në Klinë, në të cilin gjendeshin edhe tri bagëti të vjedhura në fshatin Smaq të Prizrenit.

“Me datë 18 janar 2023, rreth orës 05:15 është raportuar për një automjet-kombi të dyshimtë të ndaluar në autostradë në afërsi të fshatit Novakë, Prizren. Patrullat policore të Stacionit Policor Prizren-Veri kanë dal në vendngjarje. Në vendngjarje është vërejtur se në atë automjet janë tre bagëti (dy lopë dhe një viq). Derisa patrullat policore bashkë me hetuesit ishin duke u marrë më rastin, në Stacionin Policor Prizren-Veri viktima nga fshati Smaq ka raportuar se nga persona të panjohur nga ahuri i tij i janë vjedhur bagëtia (dy lopë dhe një viq)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë pasi është bërë krahasimi është kuptuar se bagëtitë që janë gjetur në automjetin-kombi në autostradë janë bagëtitë e vjedhur në fshatin Smaq.

Pasi që janë kryer procedurat e ekzaminimit thuhet se ato i janë kthyer pronarit, ndërsa automjeti-kombi është sekuestruar nga policia.

“Në ndërkohë nga datat baza policore është gjetur se automjeti kombi Fiat Ducato , ngjyrë e bardhë e i cili është sekuestruar në autostradë , është raportuar i vjedhur në fshatin Jashanicë-Klinë me datë 16.12.2022.Njësitet policore të Stacionit Policor Prizren-Veri së bashku me Sektorin e Hetimeve të Stacionit janë duke hetuar rastin. Automjeti pas ekzaminimit nga ekspertët e policisë do t’i kthehet pronarit”, thuhet në njoftimin e Policës.