Për të dytën herë shtyhet gjykimi për vjedhjen e çokollatave në vlerë rreth 10 euro

Prishtinë – Për të dytën herë me radhë ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestarë ndaj të akuzuarit për vjedhje, Hysen Spahiu.

Arsyeja e dështimit të këtij shqyrtimi ishte vet mungesa e të akuzuarit Spahiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Ngadhnjim Arrni, i akuzuari e kishte pranuar ftesën, mirëpo që i njëjti nuk e ka arsyetuar mungesën e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu në këtë seancë nuk ka prezantuar as përfaqësuesi nga pala e dëmtuar “Interex-pproex”, për të cilin gjykatësi tha se ftesa ishte pranuar por që nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre në këtë seancë.

Ndërsa në këtë seancë ka prezantuar prokurori Menduhi Kastrati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Meqenëse nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjykatësi  e ka caktuar seancën për 19 prill në orën 9:30.

Për të akuzuarin, gjykatësi Arrni ka njoftuar se do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 1 korrik 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj Hysen Spahiut të cilin e akuzon se më 17 shkurt 2019 në Prishtinë, në marketin “Interex-pproex”, në lagjen “Dardania”, me qëllim që vetit t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, me përvetësimin e sendeve të huaja të luajtshme e ka vjedhur një pako me çokollata në vlerë 9.90 euro, duke kaluar arkën e pagesës, derisa është ndaluar pasi është njoftuar policia, me ç’rast të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm arterial.

Me këto veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “vjedhja”, nga neni 325 par.1 të KPRK-së.