Për një muaj 115 raste të dhunës në familje, viktima kryesisht gratë

Në secilën ditë Policia e Kosovës raporton për një dukuri të neveritshme e cila nuk po mund të zvogëlohet e aq më pak të zhduket – që është dhuna në familje.

Megjithëse faktorët deri te kjo gjendje shoqërore ende nuk dihen, siç duket mbyllja e madhe gjatë pandemisë, ndikoi në ngritjen e rasteve të dhunës në familje, ku në disa raste burri rrahu gruan apo anasjelltas, fëmijët rrahën prindërit apo prindërit rrahën fëmijët, vjehrri sulmoi nusen, e raste të tilla të shumta.

Në bazë të raporteve të Policisë, që janë dërguar gjatë muajit prill, janë shënuar 115 raste të dhunës në familje.

Nga ky numër rezulton se gratë janë viktimat kryesore.

Në 76 prej 115 rasteve, del të jetë se gratë kanë qenë viktima nga dhuna e bashkëshortëve të tyre, të cilët shpesh ishin të dehur.

Përveç grave si viktima nga bashkëshortët, dhjetë raste janë raportuar për dhunë ndaj prindërve.

Ndërsa, në katër raste, gratë kanë sulmuar bashkëshortët e tyre.

Raporti policor shënon edhe raste tjera të dhunës në familje ku janë të përfshirë: vëlla-motër, vjehërr-nuse, vëlla-vëlla.

Në vitin 2020 ishin raportuar 2 mijë e 69 raste të dhunës në familje, ndërsa në vitin 2021 rreth 2 mijë.