Pensionohet rekordmeni Fitim Haliti

Rekordmeni i futbollit të Kosovës, Fitim Haliti, që ka shënuar 42 gola brenda një kampionati, ka vendosur të pensionohet nga loja e futbollit. Një gjë të tillë 37-vjeçari po e bën pasi arriti synimin e madh për ta ndihmuar skuadrën e Dukagjinit të inkuadrohet në Superligë.Rekordmeni i futbollit të Kosovës, Fitim Haliti, i ka qëndruar pas deklaratës që kishte dhënë në muajin janar për “Epokën e re”, se do ta ndihmojë skuadrën e Dukagjinit të Klinës të inkuadrohet në Superligë e më pas të pensionohet. Haliti, i cili ka djersitur shumë fanella të klubeve në Kosovë, ka konfirmuar të hënën se karriera e tij si futbollist ka përfunduar.“Ashtu siç kam paralajmëruar edhe do të ndodhë, pra do të pensionohem. Sikurse të gjithë futbollistët në botë, edhe unë kisha ëndërr që klubin e zemrës ta ndihmojë për t’u inkuadruar në rangun më të lartë të futbollit. Pasi kjo u arrit kam vendosur t’i them lamtumirë lojës së futbollit”, ka thënë Haliti, i cili krenohet me sukseset që ka shijuar gjatë kohës si futbollist.“Karriera ime ka qenë shumë interesante. Kam luajtur në shumë klube dhe sukseset kanë qenë të jashtëzakonshme, për të mos thënë të paarritshme. Kam fituar tri herë titullin e kampionit me Besën e Pejës, dy herë Superkupën, derisa me Feronikelin dhe Dukagjinin jemi inkuadruar nga Liga e Parë në Superligë. Në aspektin personal kam rekordin që brenda një kampionati kam shënuar 42 gola, të cilën askush nuk e ka arritur në Kosovë”, ka deklaruar ai. Haliti, i cili në opinion njihet me nofkën “Aqareva”, karrierën futbollistike e nisi në moshën 16-vjeçare në skuadrën e Dukagjinit në të cilën edhe e mbylli karrierën, ndërsa ka luajtur edhe për Shqiponjën e Pejës, Drenicën, Feronikelin, Besën e Pejës, Prishtinën dhe Besën e Kavajës. “Falënderoj trajnerët që kam punuar, bashkëlojtarët, klubet ku kam luajtur dhe të gjithë tifozët, në veçanti ‘Hithat’ e Dukagjinit”, ka shtuar ai. Haliti ka bërë me dije se drejtori i klubit, Fabian Veselaj dhe kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, do t’ia organizojnë një ndeshje lamtumirëse.Futbollisti legjendar i Dukagjinit, Fitim Haliti, edhe pse ka vendosur të pensionohet nga loja e futbollit, është i vendosur të mos i ndahet kësaj loje, kurse në të ardhmen e sheh veten si trajner. “Nga sporti, konkretisht futbolli, nuk do të ik asnjëherë, sepse gjithë jetën ia kam kushtuar kësaj loje. Fillimisht do të ushtroj me fëmijët e rinj në skuadrën e Dukagjinit, më pas do t’i ndjek kurset për trajner. Përvojën time si futbollist do të përpiqem ta bart te gjeneratat e reja, pasi e ardhmja e futbollit është pikërisht te këto gjenerata”, ka thënë Haliti.

SHARE