PDK GODITET NË BASTION, BAZAJ KALON NË AAK

Naim Bazaj brenda dy apo tre ditëve pritet që të zyrtarizojë kalimin e tij tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Këtë e konfirmuar vetë Bazaj i cili ka thënë se ka vendosur përfundimisht që të largohet nga partia që drejtohet nga Kadri Veseli.

Fotografia e djeshme e publikuar nga deputeti i AAK’së Daut Haradinaj, ku shihet së bashku me Naim Bazajn, nuk ka qenë fare rastësi. Kjo pasi që Bazaj ka vendosur përfundimisht të largohet nga Partia Demokratike e Kosovës që udhëhiqet nga Kadri Veseli dhe t’i bashkohet AAK’së së Ramush Haradinajt.

Këtë e ka konfirmuar vetë Bazaj sot në një përgjigje dhënë Gazetës Expres.

“Po, po. Besoj që brenda dy tri ditëve vijnë ata tek shpija dhe merremi vesh” ka thënë Bazaj i pyetur se a ka vendosur përfundimisht të kalojë në AAK.

Për arsyet e kalimit në AAK, Bazaj thotë që nuk ka ndonjë, përveç asaj që nuk dëshiron që të jetë më në partinë e Kadri Veselit.

Bazaj thotë se AAK’ja është një parti që krerët e saj kanë qenë më të vërtetë pjesë e luftës.

“Arsyeja, pa arsye hiq…Sepse qëllimi është që së pari nuk dua të jem pjesë e PDK’së, dhe për këtë qëllim desha të shkojë aty ku më të vërtetë është edhe pjesë e luftës”, ka sqaruar ai.

Ky largim i tij nga PDK’ja vjen pas një sërë akuzash që kishte drejtuar ndaj kreut të PDK’së, Kadri Veseli, dhe kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, se i kishin futur duart edhe në procesin e brendshëm zgjedhor të partisë.

SHARE